Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kanë hedhur “kunja” drejt njëri tjetrit gjatë përurimit të një çerdhe në Bardhosh të Prishtinës, raporton Gazeta Enigma.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë fjalimit të tij i bëri thirrje publike Kurtit që të zhbllokojë buxhetin e Komunës, duke përmendur projektet e mëdha të ngecura për shkak të mungesës së bashkëpunimit.
“Është mirë kur kemi një bashkëpunim mes nivelit qendror edhe kryeqytetit, edhe po e shohim tash një fillim të mirëfilltë këtu me një çerdhe në Bardhosh. Kemi edhe një numër të madh të projekteve në kryeqytet, që unë kisha dashur me ju lut kryeministrit në detyrë publikisht që të zhbllokojë buxhetin e kryeqytetit, i cili tashmë është i bllokuar, bartja po ashtu. Projekte të mëdha si unaza e kryeqytetit që është 206 milionë, 82 janë, edhe ato mundemi me i shty përpara. Janë projekte për kryeqytetin”, tha ai.
Po ashtu ai theksoi se “Po ashtu të takohemi, se nuk jemi takuar ende këto katër vjet unë e kryeministri për të mirën e kryeqytetit. Pra, edhe këto projekte janë minore në raport me projektet tjera madhore që janë me rëndësi të madhe për kryeqytetin. Të bëhemi bashkë e t’i grahim proceseve të mëdha, e jo këtyre të voglat”.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
“Së pari, fëmijët janë të vegjël, por asnjë çerdhe nuk është minore. Çdo çerdhe duhet të trajtohet me seriozitet. Së dyti, unë e kam takuar kryetarin e Komunës së Prishtinës disa herë në zyrën time dhe investimet janë 12 milionë e 243 mijë euro në fushën e arsimit në kryeqytet. Dhe këtu jemi për fushën e arsimit, jo për çështje të tjera Kemi edhe investime të tjera, por investimet madhore që janë shumëvjeçare kërkojnë planifikime të tjera”, tha Kurti.
“Ky është një plan shumëvjeçar, të cilin duhet ta bëjmë ndryshe, mbase me dikë tjetër. E, kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër”. / Gazeta Enigma.