Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes, për të cilat tha se të tilla, pas këtyre, do të mbahen pas katër vjetësh.
“Për katër vitet e ardhshme nuk do të ketë proces të brendshëm më të rëndësishëm sesa ky. Zgjedhjet e ardhshme të brendshme te VV janë në 2026, vit të rëndësishëm si 2022 do të ketë vetëm më 2026”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie.
Ai tha se janë drejt realizimit të zotimeve të tyre.
“Jemi ballë proceseve të reja drejt realizimit të zotimeve tona për të cilat kemi folur e jemi angazhuar për shumë vite,… Janë zgjedhje të brendshme të VV-së në një situatë të paparë për subjektin tonë politik”, ka shtuar ai.
“Një lëvizje e fuqishme siç është VV-ja, që paraqet lëvizjen më të madh në vend dhe kuvend të republikës, është jo vetëm e domosdoshme që të jetë pranë qytetarëve për t’i organizuar ata, por edhe mekanizëm që e siguron dhe garanton ndërrimin thelbësor të mënyrës së qeverisjes dhe transformimin institucional e shtetëror kudo që kjo është e nevojshme”.