Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit të Teknologjisë KosICT 2024, theksoi se digjitalizimi i shërbimeve për qytetarët është prioritet kyç në agjendën e tij qeverisëse.
Kryeministri gjithashtu ka shtuar se po planifikohet ndërtimi i Qendrave të Integruara të Shërbimit, për të gjithë qytetarët që s’kanë mundësi t’i kryejnë këto shërbime vetë. Kjo sepse, siç ka thënë ai, “gjithëpërfshirja është çelësi”.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se platforma E-Kosova ka qenë një sukses i madh, ndërsa ka theksuar se siguria kibernetike është shumë e rëndësishme.
“Ky event është bërë i rëndësishëm në rrugëtimin digjital të Kosovës. Jemi të lumtur që nga ky edicion KosICT do të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë. Si ballafaqohemi me sfida dhe mundësitë, do të ketë rëndësi të madhe. Transformimi digjital është një prioritet kyç në agjendën tonë qeveritare”.
“Kjo është e ardhmja që duam ta ndërtojmë. Ku njerëzit s’kanë nevojë të rrinë në rende të gjata por i marrin ato që i duhen vetëm me një klik”.
I pari i ekzekutivit potencoi se janë të fokusuar që politikat digjitale të zhvillohen në shërbim të qytetarëve, ndërsa për ata qe nuk munden t’i përdorin këto shërbime, do të ndërtohen Qendrat e Integruara të Shërbimit.
“Gjithëpërfshirja është çelësi. Për ata që nuk munden t’i përdorin shërbimet digjitale, do të mund të kërkojnë ndihmë në Qendrat e Integruara të Shërbimit. Qendrat e para do të jenë në Prishtinë dhe jemi të entuziazmuar se si këto qendra do të punojnë. Siguria është e rëndësishme kur flasim për digjitalizim. Prandaj kemi themeluar qendrën e sigurisë kibernetike dhe së shpejti do të hapen edhe vendet e punës për agjencinë e sigurisë kibernetike”./GazetaEnigma/