Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se po e pret qeverinë e re në Mal të Zi që të fillojnë takimet e përbashkëta.
Në këto takime, Kurti tha se temë diskutimi do të jetë edhe çështja e Demarkacionit me këtë shtet, i ratifikuar katër vite më parë.
Pas vizitës që i ka bërë shkollës “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, Kurti u pyet në 4-vjetorin e miratimit të Demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën tha se qeveritë e kaluara padrejtësisht ia falën Malit të Zi 8200 hektarë të territorit të Kosovës.
“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkëta të qeverisë me Maqedoninë e Veriut edhe me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi pasi të formohet qeveria e re”.
“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, tha Kurti.