Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se policia dhe inteligjenca kanë mundësuar dështimin e qëllimeve të grupeve që në kufi me Kosovën, në territorin e Serbisë po i ndalnin qytetarët në fund të javës së kaluar.
Kurti theksoi në mbledhjen e sotme të Qeverisë se policia dhe inteligjenca “punuan nga minuta në minutë”.
“Se kush është për mbyllje dhe kufizim e pamë edhe njëherë në fund të javës së shkuar. Grupe personash të maskuar pranë Policisë së Serbisë, në kufi me Republikën e Kosovës por në territorin e Serbisë bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura e legjitimuar udhëtarë për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike. Gjatë atyre ditëve, institucionet tona, policia dhe inteligjenca kanë punuar nga minuta në minutë që planet dhe qëllimet e këtyre grupeve të dështojnë, siç edhe ndodhi”, tha kryeministri.
I pari i ekzekutivit potencoi se “ka shumë punë që bëhen, për të cilat nuk dihet fort në publik e nuk ka aq diskutime në publik”, duke iu referuar këtij rasti.
“Me këtë rast dua të shpreh një falënderim të veçantë për të gjithë zyrtarët policorë dhe agjentët tanë të cilët janë kujdesur e përkujdesen çdoherë që publiku e qytetarët të shohin dhe jetojnë dhe përjetojnë vetëm rezultatet pozitive, përkundër planeve të këqija që synohen, por nuk realizohen dhe s’merren vesh asnjëherë”, u shpreh Kurti.