Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ministrat që deri të mërkurën t’i dorëzojnë versionet finale të planeve të punës, duke njoftuar se në javën e ardhshme presin që të miratohet Plani i Punës.
“Ju lus që deri këtë të mërkurë në mesditë të dërgoni të zyra për planifikim strategjik versionet finale të planeve tuaja sepse e kemi plan që javën e ardhshme ta sjellim në Qeveri dhe Kuvend planin e punës”, tha Kurti.
Ai këto komente i ka bërë gjatë mbledhjes së Qeverisë ku janë miratuar disa pika të rendit të ditës.
Ndër to ka qenë edhe shqyrtimi i propozim vendimit për Organizimin dhe Funksionalizimin e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike dhe Strukturave Përgjegjëse për të Koordinuar Monitoruar dhe Zbatuar dokumentet strategjike të reformës së administratës publike.
Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për lidhjen e një marrëveshje ndërkombëtare mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Arabisë Saudite për bashkëpunim policor.