Kurti pret nesër në takim Presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës

Kurti pret nesër në takim Presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret nesër, e enjte, në takim Presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer. Takimi pritet të zhvillohet në Qeverinë e Kosovës në orën 08:30.

Ambasada e Zvicrës në Prishtinë ka njoftuar se presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, nisi vizitën në Kosovë nga data 8 korrik deri më 11 korrik.

Presidenti i Këshillit Kombëtar do të takohet nesër me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa u takua me kryekuvendarin Glauk Konjufca e drejtuesen e diplomacisë, Donika Gërvalla.

Gërvalla në takimin me të theksoi avancimin e marrëdhënieve bilaterale në fuqizimin e demokracisë, arsimit dhe investimet në kapacitetet humane, me theks të veçantë të të rinjve si dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Zvicrës ndaj Kosovës që nga periudha e çlirimit deri në pavarësi, zhvillim dhe integrim.

Ajo vlerësoi kontributin e Zvicrës në Kosovë, duke përfshirë zhvillimin e demokracisë, arsimit profesional, qeverisjen lokale, projektet infrastrukturore në mbrojtje të mjedisit, ujësjellës, bujqësi dhe jo vetëm si dhe mbështetjen e vazhdueshme në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Të dy palët tutje theksuan rëndësinë e mërgatës kosovare në Zvicër, duke folur për integrimin e saj të suksesshëm, fuqizimin ekonomik dhe rolin e saj të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes dy shteteve. Ministrja Gërvalla nënvizoi se mërgata është një urë e fortë bashkëpunimi dhe një aset i çmuar për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës.

Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, ka folur edhe rreth aktualitetit politik në vend.

“Siç e kam përmendur, unë mendoj që paqja e qëndrueshme edhe në këtë pjesën veriore është shumë e rëndësishme për Zvicrën, prandaj mbështesim të gjitha përpjekjet që mbështesin dialogun që mund të vazhdojnë me atë që të dyja vendet të gjejnë një zgjidhje, të kemi një zgjidhje për popullatën joshumicë, por nuk jam në pozitë si president i Këshillit Kombëtar të Zvicrës të diskutojë për atë se a duhet të dënojmë Serbinë, por mendoj që nëse nuk është në linjë me këtë marrëveshje duhet të punojmë së bashku, të qartësojmë situatën, të gjejmë një zgjidhje, të dalim nga kjo bllokadë”, tha ai pas takimit me Konjfucën.

Related Articles