Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri jorezident të Irlandës për Kosovë, Ragnar Almqvist, të cilin e falënderoi në veçanti për mbështetjen ndaj aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Nga zyra e kryeministrit bëhet e ditur se në takim u theksua se gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në implementimin e reformave kyçe, promovimin e demokracisë dhe forcimin e sundimit të ligjit, dhe se Kurti po ashtu foli dhe mbi situatën aktuale dhe sulmin terrorist nga ana e Serbisë me datën 24 shtator.
“U bisedua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit, rritjen e mundësive të shkëmbimit tregtar, investimeve ekonomike dhe projekteve kulturore midis dy vendeve tona. Kryeministri Kurti theksoi se mirëpret bashkëpunimin e ngushtë me Irlandën për të thelluar më tej lidhjet në mes të dy vendeve.”, thuhet tutje në kumtesën për media.