Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se gjatë takimit të së enjtes me përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka theksuar se gjatë kohës kur në rajon shtyheshin platforma paralele (si Ballkani i Hapur), Kosova është angazhuar plotësisht në Procesin e Berlinit.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se në takim Kurti ka kërkuar fuqizimin e këtij procesi si platformë që kërkon barazi dhe përshpejton anëtarësimin në BE.
“Kryeministri theksoi që në kohën kur në rajon shtyheshin platforma të tjera paralele, Kosova është angazhuar plotësisht në Procesin e Berlinit duke kërkuar ri-energjizimin dhe fuqizimin e tij si një platformë që ofron barazi dhe përshpejton procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet që duan të anëtarësohen”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet rëndësia që para samitit të radhës të arrihen jo vetëm marrëveshje të reja, por edhe të sigurohet zbatimi i marrëveshjeve që tashmë janë të nënshkruara.