Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim artisten e mirënjohur nga Kosova, Rita Ora, njëkohësisht Ambasadore Nderi e Kosovës.
Ajo ishte e shoqëruar nga bashkëshorti i saj regjisori Taika Waititi, si dhe aktorja e producentja Odessa Rae, të dy fitues të çmimeve Oscar, e po ashtu edhe nga babai i saj, Besnik Sahatçiu si dhe motra Elena Ora.
I pranishëm në takim ishte dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Drejtorja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri.
“Një e diel e veçantë, ku Rita Ora feston dhe ditëlindjen e saj të 33-të. Gjatë këtij takimi miqësor, ata folën për fushën e artit e kulturës në Kosovë. Duke pasur parasysh planet e qeverisë për zhvilluar industrinë e filmit vendor, u theksuan marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova ka me vendet e saj partnere në fushën e filmit, ku u veçua ai me shtetin e Francës”.
“U trajtuan dhe mundësitë e format e bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Kryeministri Kurti e cilësoi këtë të diele të këtij takimi të paharrueshme.
Duke e uruar dhe për ditëlindjen e saj, ai tha se Rita Ora na bën krenarë të gjithëve, me punën e kontributin e saj.
Nga ana e saj, Rita Ora tha se kjo ishte një mënyrë e jashtëzakonshme për të kaluar këtë ditë të veçantë për të, si dhe veçoi ardhjen e saj në Kosovë sot si dhe takimin me Kryeministrin duke i quajtur frymëzues.
“Ajo theksoi dëshirën për t’u angazhuar më tej e thelluar bashkëpunimin sidomos për të kontribuar për artistët e rinj nga Kosova, veçanërisht nga bota e muzikës dhe filmit”, bëhet e ditur në njoftim.