Kryeministri Albin Kurti ka shprehur pritjen për të marrë informacion nga kryenegociatori Besnik Bislimi pas rundit të ri të bisedimeve në Bruksel.
Në një deklaratë për media, ai theksoi rëndësinë e kërkesave për suksesin e dialogut me Serbinë, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes bazike dhe dorëzimin e Milan Radojçiqit, si dhe të grupit të tij kriminal, shkruan Gazeta Enigma.
“Do të presim se çfarë do të na njoftojë Besnik Bislimi, zëvendësi im dhe kryenegociatori,” tha Kurti, duke theksuar se siguria ligjore dhe mirëbesimi në negociata janë thelbësore.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për deklaratën e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, mbi integritetin territorial të Kosovës, duke e quajtur këtë situatë të papranueshme.
Rundi i bisedimeve, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur me takime dypalëshe mes dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.
Nëse palët tregojnë vullnet, një takim i përbashkët trepalësh mund të ndodhë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se temë kryesore do të jetë Marrëveshja e Ohrit./GazetaEnigma/