Kryeministri Albin Kurti komentoi mbi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të mbahen më 5 nëntor 2024. Në një konferencë për media, ai u shpreh se pret të shohë rezultatet para se të japë vlerësime ose parashikime për pasojat e tyre.
“Nuk kam ndonjë gjë tjetër që të them, t’i shohim rezultatet, t’i shohim përzgjedhjet e kandidatit që fiton. Nuk do të kisha bë tash gjimnastikën cerebrale të hipotezave mbi hipotezat se ‘nëse fiton ky, e nëse ai kur të fiton, se nuk po e dimë a fiton, a e zgjedh këtë tjetrin që s’po e dimë a e zgjedh, e pastaj kur të zgjedhë, nëse e zgjedhë ai që fiton, që s’po e dimë a fiton, çka do të thotë’”, tha Kurti, shkruan Gazeta Enigma.
“Do të ishte e pavend të them ‘nëse fiton ky, apo ai tjetër, çfarë ndodh. Këto janë hipoteza mbi hipoteza dhe preferoj të presim deri në përfundimin e procesit,” tha ai.
Kurti theksoi se nuk do të hyjë më thellë në këtë çështje, duke e cilësuar konferencën si një forum të kryeministrit për çështje të tjera të rëndësishme./GazetaEnigma/