Kurti takohet me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-ve, Jake Sullivan

Kurti takohet me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-ve, Jake Sullivan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në takim nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan, shkruan Gazeta Enigma.

Kurti ka bërë të ditur se në këtë takim temë e diskutimit ka qenë dialogu mes Kosovës e Serbisë, e sipas tij duhet të jetë parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë, teksa shtoi se qeveria e tij është e vendosur se kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara.

Tutje, bëhet e ditur se në takim u bisedua edhe për rreshtimin e Kosovës me ShBA-në dhe botën demokratike në dënimin e invazionit ushtarak rus dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Z. Sullivan shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për refugjatët afganë dhe për strehimin e përkohshëm të tyre në Kosovë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, në takim me Sullivan, Kurti tha se Kosova është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me ShBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit më BE si dhe përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO.

Ndërsa, në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, bëhet e ditur se Sullivan shprehu mbështetjen e ShBA-së për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizmit mes Kosovës e Serbisë si dhe nevojën për përparim në çështjet kyçe të pazgjidhura.

Ata shkëmbyen mendime mbi agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, duke përfshirë ofrimin e ndihmës humanitare nga Kosova për popullin e Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë”.

“Ata diskutuan gjithashtu stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, me z. Sullivan duke shprehur mbështetjen e SHBA-së për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet kyçe të pazgjidhura”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për këtë takim.

Related Articles