Kurti takohet me ministren gjermane Huml, flasin për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe arsimit profesional

Kurti takohet me ministren gjermane Huml, flasin për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe arsimit profesional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me ministren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Bavarisë, Melanie Huml, ku biseduan për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit me theks në investime ekonomike dhe në fushën e arsimit.

Kurti e falënderoi ministren Huml për përkrahjen e vazhdueshme dhe investimet gjermane në Kosovë.

“Në Bavari jeton numër shumë i madh i mërgatës sonë dhe kjo lidhje e fortë është një shans i mirë për shtimin e investimeve të Bavarisë, por edhe të Gjermanisë në përgjithësi”, tha kryeministri Kurti.

Si rezultat i bashkëpunimit të afërt me mërgatën në Gjermani, kryeministri Kurti theksoi marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe “Besa Foundation” në fushën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional. Ky Memorandum i Mirëkuptimit do të mbështetë bashkëpunimin ndërmjet akterëve relevantë, me qëllim të lehtësimit dhe zbatimit të dialogut nacional në Republikën e Kosovës.

“Modeli gjerman i sistemit dual të arsimit është treguar i suksesshëm dhe kryeministri kërkoi që Bavaria të ndihmojë me përvojën dhe përkrahjen në këtë fushë.

Një aspekt tjetër që do të kontribuonte në shtimin e investimeve do të ishte edhe hapja e një zyre ekonomike bavareze në Prishtinë”, tha kryeministri Kurti.

Ndryshe, në njoftim thuhet se ministrja Huml shprehu përkrahjen dhe angazhimin e mëtejmë të Bavarisë për një perspektivë më të qartë për rrugën e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik. /Gazeta Enigma/.

Related Articles