Para fillimit të Forumit të Paqes në Paris ku në mesin e shumë krerëve të shteteve dhe qeverive po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai takoi në takime të veçanta përfaqësuesit e dy kompanive franceze të fushës së energjisë së ripërtëritshme, “Voltalia” dhe “TotalEnergies”.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se fillimisht Kurti takoi drejtorin për Zhvillim Ndërkombëtar të “Voltalia”, Gustavo Fernandez, dhe pastaj takoi zëvendëspresidentin për Zhvillimin e Biznesi në EuroAzi për “TotalEnergies”, Antonie Garret, me bashkëpunëtorë.
“Kryeministri nënvizoi interesimin e Kosovës për të mirëpritur investitorë të huaj dhe dedikimin e Qeverisë për krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për ta. Ai i njoftoi përfaqësuesit e “Voltalia” dhe “TotalEnergies” me detajet e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, me të cilën synohet që të shtohen 1,200 MW nga burimet e ripërtëritshme. Veçoi projektet ekzistuese dhe të ardhshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga energjia solare dhe e erës, me theks te mundësitë që ofron ankandi aktual për ndërtimin e 100 MW nga energjia solare të shpallur nga Ministria e Ekonomisë, dhe ankandi i ardhshëm i erës me kapacitet deri në 150 MW i cili pritet të shpallet gjatë vitit të ardhshëm, si dhe foli për investimet e planifikuara të Qeverisë në këtë sektor për tri vitet e ardhshme”, thuhet në njoftim.
”Përfaqësuesit e të dy kompanive shprehën mirënjohje për përparimin e Kosovës, përshëndetën edhe mundësitë aktuale dhe të ardhshme të ofruara për investime në sektorin e energjisë së ripërtëritshme dhe procesin profesional dhe transparent. Gjithashtu shprehën gatishmërinë për të vazhduar angazhimin për pjesëmarrje në këto mundësi që ofron Kosova”.