Kryeministri i vendit, Albin Kurti, këtë të enjte ka bashkëbiseduar me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, gjatë vizitës në organizatën joqeveritare “Medica Gjakova”.
Kurti theksoi domosdoshmërinë për përkrahjen e pakushtëzuar të familjeve dhe shoqërisë, për të luftuar stigmën e cila i përcjellë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Kryeministri tha se hetuesit dhe prokurorët që punojnë në rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duhet shtuar angazhimin e përbashkët në tejkalimin e pengesave drejt rritjes së numrit të dënimeve nga gjykatat në Kosovë.
“Qeveria ka shtuar buxhetin për të rritur kapacitetin për të trajtuar krimet e luftës, duke shtuar buxhetin për 4 prokurorë, 6 profesionistë dhe 2 përkthyes për rastet e krimeve të luftës. Ndërsa, në Policinë e Kosovës në të kaluarën, krimet e luftës janë trajtuar në sektor në kuadër të Hetimeve të Krimeve të Rënda me 19 zyrtarë, me strukturën e re të miratuar, është ngritur në nivel të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës, e cila do të ketë 41 hetues” tha Kurti.
Siç bën të ditur Zyra e Kryeministrit, në këtë takim u bisedua edhe për procesin e njohjes së statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe trajtimin konfidencial të informacionit nga Komisioni Qeveritar për Njohjen e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës.
Tutje u theksua se Qeveria i ka vazhduar mandatin këtij Komisioni deri në 2025, ndërsa ka dërguar në Kuvend Ligjin për vazhdimin e procesit të aplikimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Në takim u theksua angazhimi i përbashkët i institucioneve, Komisionit Qeveritar dhe organizatave të shoqërisë civile, për të krijuar hapësirë që të mbijetuarit të flasin lirshëm për rastet e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte nga Serbia.