Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, kanë mirëpritur në kryeqytet, në një mëngjes pune bashkëthemeluesin dhe ish-udhëheqësin e Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak.
Çanak po shoqërohej nga Mitropoli i Kishës Ortodokse të Malit të Zi, Boris Bojoviq.
Sipas një njoftimi të lëshuar për media, gjatë këtij takimi u diskutua për çështjet aktuale, zhvillimet në rajon, pasojat e vazhdueshme të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që lufta atje vazhdon të paraqes për sigurinë e kontinentit të Evropës dhe rajonin e Ballkanit.
Ndër tjera theksohet se Kurti tha se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shpërfaqur qartë rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje, përveçse për të drejtat e njeriut dhe mirëqenien e popullatës vendëse.
Tutje, ai veçoi rëndësinë që demokratizimi i shoqërive, pluralizmi partiak, sundimi i ligjit, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimi rajonal kanë në përballje me këto rreziqe, krahas mbështetjes të vazhdueshme ndaj Ukrainës në luftën e saj çlirimtare, të cilën Republika e Kosovës po e mbështetet fuqishëm me gjithë kapacitetet e saj. /Gazeta Enigma