Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se gjatë takimit të 26 tetorit në Bruksel, liderëve evropianë u ka thënë se drafti që ka marrë nga pesëshja e emisarëve evropianë dhe amerikan nuk do të ishte i tillë çfarë do ta shkruante vetë ai.
Kurti tha se përshtypja e tij nga leximi i draftit të propozuar nga pesëshja evropiano-amerikane është që shkrimi i tij është bërë me shumë më tepër kujdes për germën e Kushtetutës sesa për frymën.
“Gjatë bisedimit, aty është theksuar nevoja, jo vetëm e prioritetit politik të normalizimit të marrëdhënieve, por edhe të urgjencës gjeopolitike. Pra, ne ishim në atë takim, kur nuk ishin bërë as 3 javë të fillimit të luftës Hamas – Izrael dhe pasi që agresioni rus në Ukrainë, ishte e qartë që ishte larg përfundimit”.
“Dhe ata thanë që ishte një çështje urgjente. Në atë moment, unë kam thënë hapur që meqenëse qenka kaq çështje urgjente, po i marrim Marrëveshjen Bazike, Aneksin e Ohrit dhe draft-statutin, që paraprakisht ia kam dërguar një faqe me vërejtjet e mija kapitale Lajçakut, dhe vetëm si një paketë, ku janë të trija, dhe me kërkesën tonë për statusin e vendit kandidat në BE dhe për programin e Partneritetit për Paqe, po e nënshkruajmë sonte. Meqë qenka urgjente, po e nënshkruajmë sonte”, tha Kurti.
Ai tregoi që tek liderët evropianë ka parë vlerësim dhe mirëkuptim, mirëpo, siç tha ai, “pas meje ata e kishin takimin me Vuçiqin dhe unë i di rezultatet siç u dini edhe ju”.
“Vuciqi ka refuzuar që të bëjë çfarëdo nënshkrimi, dhe për çfarëdo dakordimi të dërgojë një letër shtesë, në të cilën ai shprehet e kjo pranohet nga ndërmjetësit për mospranimin e pavarësisë së Kosovës asnjëherë, mos anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe gjithashtu për mosrespektim të integritetit territorial të vendit tonë”.
“Pra, jo vetëm që ai ka ngecur, por ka bërë një hap prapa me kërkesën për mosrespektim të integritetit territorial të Kosovës. Brukseli thotë që ne kemi marrëveshje me 27 shkurt dhe 18 mars. Kjo marrëveshje nuk është nënshkruar nga Serbia, e rrjedhimisht as nga ne, përkundër interesimit tim. Por, Brukseli ka thënë qartë se ka marrëveshje. E kanë përfshirë në konkluzionet e Këshillit Evropian”.
“Më shumë se kaq, unë nuk mund të them për hollësitë e draft-statutit, sepse kaq mund të thuhet sa i përket këndvështrimit tim si udhëheqës i qeverisë”, tha Kurti.