Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar të enjten për në Mynih të Gjermanisë, ku pritet të marrë pjesë në konferencën treditore të sigurisë “Munich Security Conference 2025”.
Kjo u bë e ditur nga njoftimi i lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, ku nuk u njoftua se me kë do të zhvillojë takime dhe mbi çfarë temash.
Gjatë ditës u njoftua se në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani.
Gjatë qëndrimit të saj atje, është thënë se Osmani do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, njoftoi Presidenca.
Përveç takimeve bilaterale, Osmani do të marrë pjesë edhe në panele diskutimi që organizohen përgjatë konferencës.
Konferenca e Sigurisë në Munih, e themeluar në vitin 1963, është një platformë e pavarur që synon promovimin e zgjidhjeve paqësore të konflikteve, dialogut ndërkombëtar dhe bashkëpunimit në mes shteteve.