Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Ai tha se beson të jenë të ndërgjegjshëm bashkërisht për kushtet në të cilat pandemia e ka vendosur vendin, për sipas tij, realitetin kompleks global, e për krizën energjetike, ku tha se dritën e gjënë nëpër festa të tilla.
“E, sinqeriteti, puna dhe ndjenja e përbashkët janë çelësi i çdo suksesi në jetën e secilit prej nesh. Ne do të jetojmë gjithnjë në rrethanat e kohës, por mendimi, vullneti duhet të ushqehen prej besimit. Nuk ka shpresë pa besim”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Kurti më tej tha se besimi është themeli që ua ofron çdo fe popullit të Kosovës, andaj, ai tha se e respektojnë njëri-tjetrin në fe e në praktikë.
“Ne e dimë mirë se dashuria mes nesh është virtyti më i lartë i njeriut. Pasuria jonë kulturore, rrënjosur në traditën tonë popullore, në vetëdijen tonë kolektive për një fat të përbashkët”.
“Me këtë përvojë të madhe kombëtare ndërfetare ju urojmë motra e vëllezër katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë më të mirën. Sepse, kjo ditë është ajo e lindjes së bartësit të mesazhit të dashurisë ndër njerëz”, është shprehur Kurti./Gazeta Enigma/