Kurti viziton ASK-në, i ofron mbështetje për regjistrimin e popullsisë

Kurti viziton ASK-në, i ofron mbështetje për regjistrimin e popullsisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ku u prit nga U.d. Avni Kastrati.

Sipas një komunikate për medie, çështjet kryesore për të cilat u fokusua interesimi i Kryeministrit ishin Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (REKOS 2024) dhe Digjitalizimi.

“Andaj, ai fillimisht vizitoi Qendrën Mbështetëse të Regjistrimit, ku u njoftua nga afër me aktivitetet kryesore, si: puna rreth instalimit të programit në tabletë, serverët e hartave digjitale, planet për Regjistrim etj. Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e tij të plotë se do ta mbështesë ASK-në në realizimin me sukses të Regjistrimit të Popullsisë, si një nga projektet më kapitale me interes kombëtar. U.d. Kryeshefi i ASK-së, Avni Kastrati, e njoftoi Kryeministrin për situatën aktuale në ASK, konkretisht sfidat me mungesën e stafit, kapacitetet profesionale, perspektivat dhe procesin e digjitalizimit”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit për medie, kryeministri inkurajoi një koordinim sa më të ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe ASK-së për të siguruar statistika të sakta dhe gjithëpërfshirëse, të nevojshme për zhvillimin e politikave dhe strategjive të Qeverisë, si dhe për të gjithë shfrytëzuesit e tjerë.

“Kjo vizitë është hera e parë, që një Kryeministër viziton Agjencinë e Statistikave të Kosovës, e që është një inkurajim shtesë për aktivitet e ndryshme të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Related Articles