Kryeministri Albin Kurti priti në takim zëvendëskryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, duke shprehur falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut në zhvillimin dhe demokratizimin e Kosovës, si dhe për kontributin e rëndësishëm të këtij shteti në sektorin e sigurisë, përmes misioneve të KFOR-it dhe EULEX-it.
“E vlerësojmë shumë mbështetjen në fushën e shëndetësisë, sundimit të ligjit dhe administratës publike. Ndihma nga Luksemburgu për Kosovën është lart mbi mesataren e shteteve të BE-së në raport me territorin dhe numrin e popullsisë së saj. Nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen edhe kontributin tuaj”, tha Kurti, shkruan Gazeta Enigma.
Tutje, në njoftim u tha se listës së bashkëpunimit mes Kosovës dhe Luksemburgut i është shtuar edhe një Memorandum i Mirëkuptimit, i cili u nënshkrua dje dhe përbëhet nga fy done për mbështetje për sektorin privat, në vlerë mbi 35 milionë euro.
“Ata gjithashtu diskutuan për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare që viteve të fundit kanë shënuar një trend të rritjes dhe mundësitë për investime. Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri veçoi fushën e teknologjisë dhe të energjisë si sektorë me potencial të madh të vendit tonë dhe pozitën e përshtatshme gjeografike, sistemin tatimor, fuqinë punëtore profesionale dhe shumëgjuhëshe, progresin demokratik dhe stabilitetin institucional si përparësitë që ofron Kosova”.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e palëkundur të Luksemburgut në anëtarësimin e vendit tonë në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe për kontributin e vlefshëm të Agjencisë Zhvillimore LuxDev. Ai po ashtu përgëzoi zëvendëskryeministrin Bettel për përurimin e objektit të ri të ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, i cili u inaugurua mbrëmë, duke e cilësuar atë si dëshmi e raporteve tona të forta dhe infrastrukturë për t’i thelluar edhe më shumë ato”, thuhet në njoftim
Ky ishte takimi tretë mes Kurtit dhe Bettel në dy vitet e fundit, ku në korrik të vitit të kaluar kreu i Qeverisë së Kosovës e kishte pritur Bettel, atëherë kryeministër në Prishtinë./GazetaEnigma/