Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, i është kundërpërgjigjur kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila ka thënë lidhur me zgjedhjet në veri është legalizuar dhe legjitimuar getoja.
Kusari – Lila tha se kjo ditë është vonuar, “por përfundimisht ka ardhur”.
“Të mbahet në mend kjo ditë. Kjo është dita kur Serbia zyrtarisht ka humbur çdo mundësi të ndikim të mëtejmë në zyrtarët e zgjedhur serbë të Kosovës”, ka shkruar Mimoza Kusari-Lila në Twitter.
“E vetmja vegël e mbetur e Serbisë për t’u përdorur janë bandat me të cilat deri tani Serbia ka terrorizuar serbët e Kosovës”.
Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor.
Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.
Ndërsa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe