Pjesëmarrje e ulët në zgjedhje, Sveçla: Do të prodhohet “qeverisje shembullore”

Pjesëmarrje e ulët në zgjedhje, Sveçla: Do të prodhohet “qeverisje shembullore”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pret që zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore do të prodhojnë “qeverisje shembullore”, pavarësisht pjesëmarrjes tepër të ulët të votuesve.

Ndërsa Serbia i konsideron jodemokratike dhe jolegjitime, Sveçla tha se bojkoti do të bëhet “i paqëndrueshëm”.

“Do të jetë një administrim apo qeverisje shembullore e këtyre kandidatëve të cilët do ta kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës dhe gjithë këtë bojkot do ta bëjnë të paqëndrueshëm”, tha ai në një prononcim për televizionin publik.

Sveçla tha se Kosova “nuk mund të mbahet peng i shantazhit të Vuçiqit”.

Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor.

Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Ndërsa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Related Articles