Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në seancën e Kuvendit të Kosovës i është kundërpërgjigjur kritikave të opozitës për gjendjen në veri dhe rastin e ambasadorit Martin Berishaj.
Ajo iu kundërpërgjigj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se gjendja në veri është jonormale, për çka Kusari-Lila përmendi disa nga veprimet gjatë qeverisjes aktuale.
“Nga kjo foltore u tha se për herë të parë janë ndal zgjedhjet… më lejoni t’iu rifreskoj se për herë të parë është ndal referendumi serb në Kosovë se për herë të parë janë ndal zgjedhjet serbe të Republikës së Serbisë në Kosovës dhe se për herë të parë është pamundësuar Lista Serbe të ketë një fitore të pakontestueshme në katër komunat në veri të vendit.
Për herë të parë ka pluralizëm politik në mes të komunitetit serb për herë të parë ka të tjerë që dalin kundër propagandës së Vuçiqit…Po thoni që veriu nuk është normal po sepse veriu nuk ka pas normalitet kurrë kur udhëhiqet dhe bosi i veriut është Milan Radoiçiqi e Zvonko Veselinoviqi.
Kur Zvonko Veselinoviqi e Millan Radoiçiqi janë pritur në zyre të qeverisë e në anën tjetër kanë persekutuar jo vetëm njerëzit e vetë po krejt çka është e mundur…”, u shpreh ajo, raporton kp.
Sa i takon akuzës së Abdixhikut se opozita nuk kishte marr pjesë në Komisionin hetimor për energji ku ishte i ftuar për raportim ambasadori Martin Berishaj, Kusari-Lila tha se kjo nuk qëndron se pozita e ka mundësuar mbajtjen e mbledhjeve të këtij Komisioni.
“Pozita nuk e ka parandaluar punën e komisionit, pozita e ka mundësuar, pa pozitën nuk keni mundur asnjë mbledhje të vetme me e mbajt sepse nuk keni pas kuorum”, u shpreh ajo.