Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se Kuvendi i Kosovës do të mbajë edhe dy seanca këtë javë, përveç asaj së sotme, njëra prej të cilave do të jetë për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë.
“U dakorduam që seanca e re e rregullt të mbahet ditën e enjte. Kuvendi do të mbajë seancë solemne në nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës”, tha ajo.
Sa i përket deklarimeve të PDK-së se do ta dërgojë në Kushtetuese Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Kusari tha se PDK-ja me këtë po mundohet që ta shtyej përpara peshën e së kaluarës.
“Mendoj se është një prej projektligjeve që është marrë më me seriozitet. Të gjitha vlerësimet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias janë përfshirë në të. Kjo çështja e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese ka vetëm komponentin e peshës apo të barrës së të kaluarës që PDK po mundohet ta shtyej në raport me këtë projektligj. Zbatimi dhe funksionimi është i domosdoshëm”, tha ajo, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Kusari-Lila po ashtu njoftoi që seanca që do të mbahet sot është e hapur për media.