Qysh prej mbrëmë televizioni Klan Kosova, specifikisht formati reality BBVK është komentuar në masë të madhe nga opinioni publik.
Kjo pasi në spektaklin e mbrëmshëm, produksioni i këtij formati bëri banorin më të ri, ish-burrin e njërës prej konkurenteve, specifikisht Drenusha Latifit.
Kjo e fundit akuzon ish-bashkëshotin, Atilla Kardesh për dhunë fizike.
Të menjëhreshme kanë qenë reagimet lidhur me këtë veprim të produksionit.
Gjatë ditës, juristja Flutura Kusari, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka parashtuar ankesë pranë Komisionit të Pavarur për Media kundër emisionit Big Brother dhe Klan Kosova.
“Liria e shprehjes dhe liria e medias nuk janë absolute. Këto të drejta dhe liri vijnë me përgjegjësi dhe është përgjegjësi e televizionit Klan Kosova, që këto të drejta t’i ushtrojë duke transmetuar materiale në pajtim me normat etike dhe ligjore.
Vendimi i emisionit Big Brother për t’i ofruar hapësirë një dhunuesi dhe promovimi i tij në një emision me shikueshmëri të madhe është abuzim me lirinë e medias dhe të shprehjes.
Kërkova nga ana e Komisionit të Pavarur për Media që të shqiptojë gjobën më të lartë financiare ndaj televizionit Klan Kosova për shkelje të nënit 3 të Kodit të Etikës së për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës nr. KKPM-2016/03.
Ky do të jetë një rast kyç (landmark case) për Komisionin e Pavarur për Media dhe precedent në fushën e mbrojtjes së grave nga ky institucion”, shkroi Kusari në Facebook. /Gazeta Enigma