Kusari: Qeveria s’ka përplasje me SHBA-në për Asociacionin

Kusari: Qeveria s’ka përplasje me SHBA-në për Asociacionin


Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari deklaroi të hënën se ekzekutivi që udhëhiqet nga partia e saj nuk ka përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me Asociacionin, raporton Gazeta “Enigma”.

Në takimin e nesërm të thirrur nga amerikanët, Kusari tha se janë ftuar edhe disa ministra dhe përfaqësues të zyrtarëve të lartë të shtetit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka asnjë përplasje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka pasur. Ne mund të kemi ndryshim mendimesh në raport me procesin dhe agjendën e dialogut”, tha ajo para gazetarëve, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ftuar ministra të dikastereve të veçanta që konsiderojnë se mund të kontribuojnë në diskutimin rreth Asociacionit”, njoftoi Kusari.

Kështu, ajo hodhi poshtë deklaratat se nga pozita nuk do të ketë përfaqësues në këtë diskutim, duke përsëritur se “ka mjaftueshëm ministra dhe përfaqësues të kabineteve të zyrtarëve të lartë që janë ftuar për të diskutuar”.

Ajo tha se Asociacioni nuk mund të bëhet pa Qeverinë.

“Asgjë nuk mund të bëhet nga dikush tjetër. Në Kosovë janë organet vendimmarrëse, Qeveria, Kuvendi. Nuk ka mekanizëm tjetër, ka instrumente, por në aspektin ligjor dhe të obligueshëm janë këto institucione që përmenda”, tha ajo.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë në disa raste se do të gjejnë partnerë alternativë në rast se Qeveria nuk do ta formojë Asociacionin. Ai ka thënë se një parti dhe një individ nuk mund ta ndalë këtë.

Related Articles