Kush është Orges Bunjaku, futbollisti shpresëdhënës që sot iu bashkua Kosovës?

Kush është Orges Bunjaku, futbollisti shpresëdhënës që sot iu bashkua Kosovës?

Orges Bunjaku edhe zyrtarisht ka vendosur që ta përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës në futboll. Nëpërmjet një njoftimi të martën (sot), Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur vendimin e Bunjakut.

Përzgjedhësi i “dardanëve”, Alain Giresse, në radhët e veta do ta ketë një prurje mjaftë shpresëdhënëse, shkruan Gazeta Enigma.

Bunjaku i lindur në korrik të vitit 2001 është shtesa e re e Kosovës në kombëtare.

Futbollisti me prejardhje nga Gjilani luan në pozitën e mesfushorit qendror, ndërsa është 180-centimetra i gjatë.

Mesfushori aktualisht është pjesë e Grenobles, ekip që bën gara në kategorinë e dytë të Francës, ku këtë sezon është paraqitur në 13 ndeshje. Ndërsa ka luajtur edhe për gjeneratat e reja të Zvicrës (U15, U16, U17, U18, U19 dhe U20).

20-vjeçari si lojtar është zhvilluar në akademinë e Baselit, ndërsa ka qenë edhe pjesë e ekipit të parë përpara se të transferoj në futbollin francez në verën e vitit të shkuar.

Vlera e tij sipas “Transfermarkt” është 500 mijë euro, ndërsa më së shumti gola ka shënuar sa ishte pjesë e Zvicrën U19, duke shënuar tre herë në gjashtë paraqitje sa i pasur me ketë ekip.

Kujtojmë që Bunjaku gjatë takimit që e pati me zyrtarët e FFK-së, ka thënë se me padurim e pret ditën kur do ta vesh fanellën e Kosovës për të cilën tha se do ta japë më të mirën nga vetja.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles