Kushtetuesja e kthen në rigjykim rastin e të dënuarës me 25 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortit në Francë

Kushtetuesja e kthen në rigjykim rastin e të dënuarës me 25 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortit në Francë

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ta kthejë në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lëndën e Suzana Zogiani-Sekiraqës e cila ishte dënuar për vrasjen e bashkëshortit të saj.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media të martën, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se aktgjykimet e gjykatave të rregullta janë nxjerrë në kundërshtim me parimet kushtetuese të barazisë së armëve, e rrjedhimisht me garancitë procedurale për të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshme dhe të drejtën për një proces të rregullt.

“Gjykata konstatoi se, Aktgjykimet përkatëse të gjykatave të rregullta janë nxjerrë në shkelje të parimit kushtetues të barazisë së armëve dhe rrjedhimisht, në kundërshtim me garancitë procedurale të mishëruara në paragrafin 1 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me pikën d) të paragrafit 3 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë, Gjykata shpalli të pavlefshme të njëjtat dhe ktheu çështjen përkatëse penale në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 17 dhjetor të 2019-s, Suzana Zogiani-Sekiraqën ishte shpallur fajtore për “vrasje të rëndë”, me ç’rast ishte dënuar me 25 vjet burgim. Ajo akuzohej se më 21 nëntor të 2018-s, në banesën e saj në Dole të Francës, e kishte vrarë bashkëshortin e saj./betimipërdrejtësi

Related Articles