Gjykata Kushtetuese ka dalë me një njoftim për aktgjykimin në lidhje me një ankesë të Telekomit, që lidhet me procesin gjyqësor, përmes të cilit Z-Mobile i kërkonte 25 milionë nga Telekomi, që ishte gjobitur nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit.
Kushtetuesja e hedhur poshtë aktvendimin e Gjykatës Supreme dhe të Apelit në lidhje me kontestin e Telekomit dhe Z-Mobile.
Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Aktvendimi i Supremes dhe i Apelit është në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës.
“Rrjedhimisht dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme dhe Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin për rivendosje në Gjykatën e Apelit, marrë parasysh që kjo e fundit, siç është sqaruar në Aktgjykim, ka “juridiksion të plotë” për të adresuar të metat procedurale të cilat kanë rezultat në kontestimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore”, thuhet ndër të tjera në Aktgjykimin e Kushtetueses.
Objekt i çështjes ka qenë procedura lidhur me përmbarimin e Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Në vitin 2016, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit vendosi ta gjobisë Telekomin me rreth 30 milionë eurosh, pasi Z-Mobile u ankua se kompania publike nuk i është përmbajtur kontratës që kishin bërë.
Në vitin 2009, kompania publike Telekomi i Kosovës si MNO, kishte lidhur kontrate me operatorin mobil, Z-Mobil, si MVNO. Kontrata ishte konsideruar e dëmshme për Telekomin dhe e favorshme për operatorin mobil privat.
Kjo kontratë, që u përfundoi vetëm para një viti, ka kaluar me plot drama.
Njëherë udhëheqja e Telekomit ishte pajtuar me pronarin e Z-Mobile që të mos i merreshin paratë e gjobës milionëshe nga Arbitrazhi.
Më vonë Z-Mobile tha se Telekomi nuk po i përmbahej as marrëveshjes së re, dhe rastin e çoi në Gjykatë./Gazeta Enigma/