Ky do të jetë kompensimi i veçantë për shfrytëzimin e fushës në Lipjan

Ky do të jetë kompensimi i veçantë për shfrytëzimin e fushës në Lipjan

Skuadra e Llapit të mërkurën do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në fushën me bari sintetik në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Në fushën e stadiumit të qytetit të Lipjanit, fituesi në fuqi i Kupës ka zhvilluar stërvitje që pas kthimit nga Turqia.

Dhe, si kompensim, Llapi ka dhuruar një “traktor”, siç e quan kryetari i klubit Ulpiana, Jeton Gashi.

Ulpiana garon në grupin B të Ligës së Parë të Kosovës në futboll. Stadiumi “Sami Kelmendi” është pronë e Komunës së Lipjanit, ndërsa shfrytëzohet nga klubi Ulpiana. Edhe vitin e kaluar, por edhe sivjet, ai stadium po shfrytëzohet nga disa klube të tjera që kanë telashe me fushat e tyre.

Makina për rregullimin e barit, siç thotë Gashi për Kohën, ka vlerën e 3500 eurove.

“I kemi lënë për arsye se kemi trashëguar 54 mijë euro borxh nga udhëheqja e kaluar. Pagat e fundit në vlerë prej 12 mijë eurosh i kam dhënë nga xhepi im. MKRS-ja na ka bllokuar vërtetimet dhe jemi në gjendje të rëndë. Po arnohemi pak nga Prishtina, pak nga Llapi. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, na ka ofruar një makinë që kushton 3500 euro. Është makinë për rregullim të barit sintetik”, ka thënë Gashi për KOHËN.

Gashi ka theksuar se makina të cilën ia ka dhënë Llapi është në gjendje të mirë.

“Llapi na ka dhënë makinën, e kemi provuar dhe punonte mirë. Llapi e ka edhe nesër një stërvitje. Ka stërvitur gjatë javës në Lipjan dhe në kompensim na ka dhënë atë traktor”, është shprehur Gashi.

Në Lipjan, Llapi mund ta luajë edhe ndeshjen kundër Drenicës. Drenica është vendëse dhe për shkak të fushës së dëmtuar të stadiumit “Bajram Aliu” në Skenderaj nga vërshimet e fundit, Drenica pritet ta organizojë takimin ndaj Llapit në Lipjan.

“Ndeshja që pritet të luhet në Lipjan në mes të Drenicës dhe Llapit dhe ajo që Prishtina do ta luajë në mars, do të jenë të fundit. Nuk do të mund të luajë askush”, thotë Gashi.

Edhe Prishtina ndeshjen e fundit, atë për Kupë ndaj Dukagjinit, e zhvilloi në “Sami Kelmendi” në Lipjan. Në Lipjan ka luajtur edhe disa ndeshje në të kaluarën. Dhe Gashi thotë se Prishtina ka paguar 300 euro për ta zhvilluar ndeshjen në fushën e tyre.

“Prishtina e ka për ndeshje 300 euro, paratë shkojnë nëpërmjet xhirollogarisë. Para në dorë nuk marrim. Të gjitha shkojnë nëpërmjet xhirollogarisë. Prishtina na ofron edhe biletat e shikuesve, por atë ditë ishin 20 veta që fituam 54 euro. Lipjani është bërë shtëpi e dytë për klubet. Por e kemi bërë për t’iu dalë në ndihmë”, ka thënë Gashi.

Nga mesi i tetorit të vitit 2021 fusha e stadiumi posedon bari sintetik dhe i plotëson kriteret që kërkohen.

Dikur nuk i plotësonte kushtet as për ekipet e qytetit të Lipjanit, kurse tani “Sami Kelmendi” është shndërruar në shtëpi të disa klubeve të Superligës, të cilat për arsye të ndryshme nuk mund të luajnë në stadiumet e tyre.

Klubet që kanë shfrytëzuar fushën e Lipjanit, u janë mirënjohës drejtuesve të klubit Ulpiana. Kanë vlerësuar lart gatishmërinë e tyre për t’ua liruar për shfrytëzim fushën e vet. Në Lipjan ka kërkuar së fundi t’i luajë ndeshjet edhe Arbëria e Dobrajës.

“Tash edhe nga Arbëria, së cilës ia kanë bllokuar fushën në Magure, më kanë thirrur që ndeshjet t’i luajnë te ne. Por pa biseduar me kryetarin nuk mund të marr më asnjë vendim”, ka theksuar Gashi.

Në Lipjan, në të kaluarën ndeshje ka luajtur edhe Drita e Gjilanit. Tani Drita dhe Gjilani kanë fusha më bari sintetik.

Related Articles