Ky është 20-vjeçari portugez që u vra me thikë në Ksamil

Ky është 20-vjeçari portugez që u vra me thikë në Ksamil

Një ngjarje e rëndë tronditi Ksamili në kulmin e sezonit turistik, ku një turist portugez, 20-vjeçari Luis Miguel Varela Mendes, mbeti i vrarë pas një konflikti në orët e para të mëngjesit të së martës.

I riu kishte udhëtuar drejt Shqipërisë së bashku me një grup miqsh për pushime, por pas një feste në zonë, një konflikt përfundoi në mënyrë tragjike.

Trupi i 20-vjeçarit u gjet rreth orës 05:15 pranë resortit “Principote”, mbi shezlongë. Sipas të dhënave të ekspertizës mjeko-ligjore, ai kishte marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe kraharor.

Për ngjarjen, policia arrestoi 29-vjeçarin Sokrat Vata, i dyshuar për vrasjen. Ai u kap pas disa orësh kërkimesh në Levan të Fierit, teksa dyshohet se po tentonte të fshihej në bagazhin e një automjeti.

Ndërkohë, autoritetet kanë shoqëruar dhe arrestuar edhe 10 persona të tjerë, nën dyshimet për veprat penale që lidhen me bashkëpunimin dhe moskallëzimin e krimit.

Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë në zonat turistike shqiptare, veçanërisht në një periudhë kur bregdeti i vendit është i mbushur me turistë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles