Ky është 27-vjeçari që dyshohet se ia vuri flakën një veture në Prishtinë

Një veturë me targa të Shqipërisë, pak muaj më parë ishte kapluar nga zjarri teksa ndodhej në parkingun e një ndërtese në rrugën ‘Malush Kosova’ në Prishtinë.

Njësitë policore kishin kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, por i dyshuari nuk u arrit që të kapej deri dje.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Rrezon Ademi, 27-vjeçar.

Ademi është arrestuar dje dhe gjatë kontrollit trupor, atij i është gjetur një armë zjarri me karikator dhe fishekë, të cilën e mbante në brez.

Ai më pas është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Zjarrvënie’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles