Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në familjen Gashi në fshatin Rogovë të Gjakovës, ku një person u gjet pa shenja jete dhe sipas informacioneve të para dyshohet se është goditur nga rrufeja në orët e mbrëmjes. Sinjali mëson se bëhet fjalë për Xheladin Gashin, 46-vjeçar, i cili fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Edhe familja e të afërmit kanë njoftuar për vdekjen e tij, me ç’rast është bërë e ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, në ora 16:00 në varrezat e lagjes në Rogovë.
Nga Policia e kanë konfirmuar rastin dhe kanë njoftuar se kanë nisur hetimet për ta zbuluar rrethanat në të cilat ka vdekur 46-vjeçari.
“Raportohet se në një fushë është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Dyshohet se viktima ka vdekur si pasojë e goditjes nga rrufeja”, thuhet në njoftim.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.