210 kg kokainë janë sekuestruar gjatë orëve të mëngjesit në Portin e Pireut.
Lajmi bëhet publik prej burimeve policore të cilat thonë se kokaina ishte e paketuar në arka me karkaleca me port tranzit Pireun, shkruan Top Channel.
Destinacioni i drogës ishte Shqipëria, ndërkohë që në pranga janë vënë dy shqiptarë dhe dy grekë.
Autoritetet greke ishin njoftuar prej shërbimeve amerikane për sasinë kokainës në kontejner.
Njëri shqiptar i arrestuar mësohet se njihet me emrin “Andrea” dhe rezulton biznesmen në Shqipëri, pronar dyqanesh me rroba, ndërkohë rezulton pronar edhe i një autobusi turistik.
Ai konsiderohet kreu i grupit që u kap me drogë në 2017, ndërkohë që në atë operacion atëherë u arrestua edhe vëllai i bashkëshortes së tij, sot 40 vjeç.
Në vitin 2017 policia greke zbuloi 635.000 pilula Captagon me vlerë shitje rreth 10 milionë euro si dhe armë. Në operacionin e atëhershëm u arrestuan 2 shqiptarë, 1 turk dhe 1 grek dhe u shpallën në kërkim 1 turk, 1 ish-polic grek dhe shtetasi shqiptar i cili u arrestua sot për kokainën në Pire.