Një rast i rëndë ka ndodhur sonte në Prishtinë, ku një person u vra me armë zjarri, raporton Gazeta “Enigma”.
Për shkaqe të panjohura, e dyshuara Nazmije Millaku ka qëlluar për vdekje kunatin e saj, viktimën Xhevdet Millaku.
Gjithashtu në media u raportua se Xhevdet Millaku punonte në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Motivet që kanë çuar deri në këtë tragjedi nuk janë bërë akoma të ditura, teksa viktima dhe dorasja raportohet të kenë banuar pranë njëri-tjetrit.
Të njëjtit janë nga fshati Ujmir i Klinës.
Lajmin për Gazetën “Enigma” është konfirmuar edhe nga Policia.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti e ka konfirmuar vrasjen dhe ka njoftuar se rasti ka ndodhur në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë.
Ahmeti ka bërë të ditur se e dyshuara është vetëdorëzuar në polici dhe se tashmë është duke u punuar për të sqaruar rrethanat e rastit.
“Sot rreth orës 19:20 kemi pranuar informatën për një vrasje, që ka ndodhë në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë. Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Ahmeti për “Enigmën”.
“Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person dyshuara: -N.M. femër. Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast”, thuhet në konfirmim. /Gazeta Enigma/