Sot u raportua për një rast të vjedhjes që ka ndodhur në një shitore në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’, ku një person po dyshohet se ka kryer vjedhje. I dyshuari që ka përfunduar në ndalim policor është emër i njohur për organet e rendit, si recidivist i veprave të ndryshme penale.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Murat Bekollin, 21-vjeçar, i cili është identifikuar pas pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë në objektet në atë pjesë.
Pas veprimeve hetimore, njësitë policore kanë arritur të lokalizojnë vendndodhjen e të dyshuarit dhe i njëjti është arrestuar e më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Sinjali mëson se ai dyshohet se ka vjedhur nga kasaforta e shitores një shumë të parave të gatshme që kapin vlerën e rreth 500 eurove.
Gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë, të riut i janë gjetur një shumë e konsiderueshme e parave, të cilat dyshohet se i kishte përfituar me anë të veprës penale.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.