Të hënën u raportua për një përleshje që dyshohet se eskaloi në përdorimin e thikës pas një konflikti verbal në mes të dy personave në rrugën “Mustafë Hoxha” në Prishtinë. Tashmë është zbuluar se motivi i incidentit dyshohet të jetë një mosmarrëveshje në trafik.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima dyshohet se u sulmua brutalisht dhe u dërgua në këtë qendër me lëndime të rënda trupore si pasojë e sulmit.
Sinjali mëson se i dyshuari që u arrestua lidhur me këtë rast është Ibrahim Berisha, 21-vjeçar, i cili është kapur nga Policia gjatë ditës së djeshme.
Berisha është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin dhe më pas është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe nisjen e hetimeve.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia.
“ Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti, dyshohet pas një mosmarrëveshje në trafik, është përfshirë në rrahje me ankuesin mashkull kosovar, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Ankuesi është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa me vendim të prokurorit, masa e ndalimit (për 48-orë) u shqiptohet të dyshuarit dhe ankuesit.“
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.