Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve në vendin tonë.
Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë.
Këtë herë viktimë e rastit është Ilir Beqa, njëri nga vëllezërit e sportistes, trajneres së fitnesit, Geta Beqa, i cili është kanosur seriozisht dhe është sulmuar fizikisht në afërsi të lokalit të tij në Gjakovë.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje verbale që katër të dyshuarit kanë pasur me viktimën, ashtu që debati verbal ka kaluar në kërcënime e rrahje.
I dyshuari kryesor është Kreshnik Abrashi, emri i të cilit është i njohur për policinë.
Dosja e tij kriminale përmban disa veprimtari ilegale siç është bixhozi, mbajtja e armës pa leje, kanosje dhe lëndime trupore.
Gjakovari, Kreshik Abrashi është arrestuar të dielën pas kanosjes që ka pasur me të dëmtuarin, Ilir Beqa pas një përleshje fizike mes tyre.
Beqa ka pësuar lëndime të rënda trupore ku është trajtuar në Spitalin Rajonal të Gjakovës e më pas është dërguar në QKUK.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast është bërë e ditur se hetimet kanë nisur për veprat “Kanosje” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.
Si ndodhi përleshja
Viktima ka deklaruar në Polici se “pas një mosmarrëveshje verbale me djalin e të dyshuarit (Kershnik Abrashi), i dyshuari së bashku me dy djemtë e tij dhe vëllain e tij ka shkuar dhe e ka kanosur me fjal Ilir Beqën, kurse djali i të dyshuarit ( i cili është i mitur) e ka sulmuar me grushta në fytyrë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, frakturë në nofullën e majtë“.
Kush është Kreshnik Abrashi
Këtë vit, Kreshnik Abrashi, shef i Transfuzionit të Gjakut në Gjakovë u arrestua për organizim të bixhozit ilegal. Ai do të lirohej shumë shpejt për t’u kthyer në punë. Por një hulumtim i Insajderit zbulon që ky nuk ishte as rasti i parë e as i fundit i tij duke rënë ndesh me ligjin.
Cila është dosja kriminale e Abrashit? Në sa raste u dënua e në sa raste është nën hetime?
Më 16 prill të këtij viti shefi i Transfuzionit të Gjakut në Gjakovë, Kreshnik Abrashi ra në prangat e Policisë së Kosovës. Në lokalin e tij që ndodhet në rrugën “Izet Hima” në Gjakovë u zunë lojëra të fatit. Veprimtari kjo e ndaluar me ligjet e Kosovës.
Gjatë kontrollit të Policisë i kishin gjetur gjashtë aparate të lojërave të fatit Apex.