Nuk janë të rralla rastet kur qytetarë të shumtë prezantohen rrejshëm si zyrtarë, me qëllimin për të qëruar hesape apo për të përfituar dobi pasurore nga personat me të cilët janë në telashe.
Kështu veproi edhe një person në fshatin Doganaj të Kaçanikut dhe kjo u bë sebep që ai të përfundojë në pranga.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Sylejman Reka, 39-vjeçar, i cili dyshohet se u preznatua rrejshëm si zyrtar policor.
Sipas të njëjtave burime, Reka kishte kërkuar para nga një person, me premtimin që do t’ia nxjerrë vëllain nga burgu.
Pasi u zbulua, 39-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet dhe se ka marrë afro 2 mijë euro nga viktima.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e Rekës dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Prezantim i rremë si person zyrtar’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.