Në aksionin e Policisë së Kosovës kundër terroristëve serbë në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku, teksa siç njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla janë plagosur edhe disa policë të tjerë. Në mesin e këtyre policëve të plagosur është edhe pjesëtari i njësitit special të Kosovës, Naser Qerkezi.
Pas trajtimit të nevojshëm mjekësor dhe gjendjes stabile, Qerkezi është liruar në shtëpi.
Teksa, në vizitë i ka shkuar kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, ku si shenjë mirënjohje për kontributin e tij në këtë aksion i dhuroi emblemën e UÇK-së dhe shqiponjën dykrenare.
“Vizitova, Naser Qerkezin policin e njësitit special të Kosovës, i cili u plagos gjatë aksionit në veri të vendit. Mes dhimbjes së madhe për humbjen e kolegut, shpreha ngushëllimet më të sinqerta, duke theksuar se liria jonë është lartësuar me gjak dhe sot e kësaj dite trimat e heronjtë po i dalin zot vendit, duke u shëndrruar në heronjë të paqes, me këtë rast Naserit në shenjë mirënjohje i dhurova emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shqiponjën dykrenare. Naseri me djemtë me të mirë të këtij vendi, janë gardian të ruajtjes se paqes! Zoti i ruajtë të gjithë që ndodhen në krye të detyrës, ndërkaq Naserit shërim dhe rikthim të shpejtë në misionin për mbrojtjen e vendit!”, ka njoftuar i pari i kësaj komune, Xhafer Gashi.