Ky është punonjësi i Policisë dhe djali i tij të arrestuar për rrahjen në Gjakovë, suspendohet nga Drejtoria Kufitare

Ky është punonjësi i Policisë dhe djali i tij të arrestuar për rrahjen në Gjakovë, suspendohet nga Drejtoria Kufitare

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për arrestimin dhe ndalimin e një punonjësi të Policisë Kufitare, i cili dyshohet se është përfshirë në një incident që ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Ganimete Tërbeshi” në Gjakovë. I dyshuari bashkë me djalin e tij ka  sulmuar fizikisht dy persona dhe për pasojë tashmë edhe është suspenduar.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se bëhet fjalë për Pashuk Pepajn, i cili është pjesë e stafit civil në drejtorinë e Policisë Kufitare dhe asistent i drejtorit Nexhmi Krasniqi.

Ky i fundit e ka konfirmuar rastin për Sinjalin, teksa nuk ka dhënë më shumë detaje për incidentin që ka ndodhur. Krasniqi ka bërë të ditur se me rekomandim të IPK-së, Pepaj është suspenduar për 48 orë.

“Po, është arrestuar mbrëmë. Nuk kom shumë informacione. Pepaj është suspenduar nga ne, me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës. Pepaj është që shumë vite këtu, ka qenë me mu këtu”, tha Krasniqi.   

Ndryshe, Pepaj është ndaluar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. 

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, Pepaj bashkë me djalin e tij, Shelbim Pepajn, dyshohen se kanë sulmuar fizikisht dy persona, po ashtu babë e bir, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur me njëri-tjetrin dhe esklaoi në dhunë.

Për pasojë, Pepaj dhe djali i tij kanë përfunduar në prangat e Policisë, ndërsa dy viktimat janë dërguar në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, si pasojë e lëndime që kanë pësuar.  

Për shkak të dyshimeve të ngritura dhe dëshmive që janë mbledhur dhe provojnë përfshirjen e Pepajt në këtë rast, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e Pashuk dhe Shelbim Pepajt.

Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Gjakovë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi ata kanë sulmuar fizikisht dy viktimat meshkuj kosovarë. Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.“.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

Related Articles