Ministria e Shëndetësisë sot ka pranuar 20 pompa shiringash dhe 10 elektrokardiograma si pjesa e parë e pajisjeve mjekësore të dhuruara nga Qeveria e Japonisë.
Vlera totale prej 810 mijë euro synon të mbështesë përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për të përmirësuar sistemin e saj shëndetësor dhe kapacitetet mjekësore në luftën kundër COVID-19.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia shprehu vlerësimin e tij të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Japonisë për sektorin shëndetësor me theks të veçantë në mbështetjen gjatë pandemisë me masa mbrojtëse, ilaçe, pajisje dhe mbështetjen që pritet në të ardhmen.
Ndërsa, ambasadori i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani deklaroi se është i kënaqur që të dorëzojë grupin e parë të pajisjeve mjekësore japoneze që ishte premtuar në marrëveshjen që ai nënshkroi shtatorin e kaluar.
Ai theksoi se Japonia ka qëndruar përkrah Kosovës gjatë gjithë kohës së vështirë të COVID-19 dhe do të qëndrojë e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në forcimin e sektorit të saj shëndetësor.
Përveç dhurimit të sotëm, pajisjet e mbetura të tilla si aparatura me ultratinguj dhe rrezet-X të lëvizshme pritet të arrijnë në Kosovë këtë verë.
Pajisjet do të shpërndahen nga sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet e tjera rajonale në të gjithë Kosovën