Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të arrijë sot në Kosovë, për të diskutuar rreth marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, raporton Express
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Lajçak do të takohet me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, udhëheqës politikë, parlamentarë si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe mediave.
Express mëson se Lajçak do të takohet me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Burime brenda AAK-së bëjnë të ditur se takimi Lajçak-Haradinaj do të mbahet të enjten.
Ndryshe, vizita e Lajçakut në Kosovë vjen disa ditë pas raundit të ri të bisedimeve që u zhvilluan në Bruksel në nivel të ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë.
Pas përfundimit të takimit trepalësh (Kosovë-Serbi-BE) më 8 shtator, Lajçak pati thënë se nuk ka përafrim të qëndrimeve nga ana e palëve.
“Pozicionet në një sërë çështjesh vazhdojnë të jenë të largëta. Na pret punë e madhe në të ardhmen”, pati thënë ai përmes një postimi në Tëitter.
Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin, zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011.
Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.