Largimi i tre ndihmëstrajnerëve, Llapi del me komunikatë sqaruese

Largimi i tre ndihmëstrajnerëve, Llapi del me komunikatë sqaruese

Llapi ka mbyllur sezonin vjeshtor jo në mënyrën më të mirë.

Ata e mbyllen në pozitën e parafundit në “Albi Mall Superliga”.

Për pasojë, u larguan ndihmëstrajnerët e kësaj skuadre, Burim Shalën, Arsim Tërshanin dhe Diamant Kadriollin.

Gjatë një emisioni sportiv, u flit se  trajneri Tahir Batatina i kishte shkarkuar, mirëpo vetë skuadra e Llapit ka përgënjeshtruar këtë gjë ku dhe ka dalur me një deklaratë zyrtare në “Facebook”.

“KF Llapi njofton se, me marrëveshje të dyanshme dhe në dakordësi mes klubit dhe trajnerëve, është vendosur të mbyllet bashkëpunimi me ndihmëstrajnerin Burim Shala, trajnerin kondicional Arsim Tërshani dhe trajnerin e portierëve Diamant Kadriolli. Ky vendim është marrë pas analizës së bërë mes drejtuesve të klubit dhe stafit të trajnerëve dhe nuk ka të bëj në asnjë aspekt me shkarkim.

Falënderojmë përzemërsisht Burim Shalën, Arsim Tershanin dhe Diamant Kadriollin për kontributin dhe përkushtimin e tyre gjatë kohës që ishin pjesë e klubit tonë, dhe ju urojmë suksese në të ardhmen. Kontributi i tyre ishte shembull për klubin pasi që puna e tyre profesionale ka bërë që klubi të arrij suksesin si nënkampion sezonin e kaluar, ndonëse këtë sezon gjërat nuk shkuan siq kemi pritur.

KF Llapi poashtu dënon dezinformatat e publikuara nga faqja Dueli Sportiv, e cila ka raportuar në mënyrë të pavërtetë se këto largime janë bërë me vendim të kryetrajnerit Tahir Batatina. Për sqarim, vendimi është marrë në mirëkuptim dhe bashkëpunim mes klubit dhe trajnerëve.

U bëjmë thirrje mediave që të raportojnë me profesionalizëm dhe të mos shpërndajnë lajme të pavërteta që dëmtojnë imazhin e klubit dhe të trajnerëve në fjalë.

Faleminderit dhe çdo të mirë për ju, Burim, Arsim dhe Diamant, dyert e KF Llapi do jenë të hapura gjithmonë për njerëz si ju”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Enigma

Related Articles