Elbasan Rashani, Lirim Kastrati dhe Bersant Celina do të mungojnë në dy ndeshjet e fundit të Kosovës për këtë vit, njofton Federata e Futbollit e Kosovës.
Ekipi kombëtar i Kosovës u mblodh të hënën në Prishtinë për t’i nisur përgatitjet për ndeshjet e fundit në vitin 2021, nën udhëheqjen e trajnerit të përkohshëm Primoz Gliha, pas shkarkimit të Bernard Challandes.
Por tre prej futbollistëve të ftuar nga slloveni nuk do të grumbullohen fare për ndeshjet ndaj Jordanisë dhe kundër Greqisë.
Sulmuesi i Legia Warsaw Kastrati dhe ai i Ipswich Town Celina kanë kërkuar të mos luajnë dhe Kombëtarja i ka liruar të dy, sipas një njoftimi të FFK-së.
Elbasan Rashani e pësoi një dëmtim në ndeshjen e Clermont dje në Ligue 1 dhe nuk do të jetë në gjendje t’i bashkohet Kosovës.
“3 futbollistë që ishin pjesë e listës së përzgjedhësit Gliha nuk do t’i bashkohen ekipit në këtë grumbullim. Elbasan Rashani ka pësuar lëndim në ndeshjen e djeshme me klubin e tij, kurse Lirim Kastrati e Bersant Celina me kërkesën e tyre për shkak të situatave respektive në klubet e tyre janë liruar nga obligimet me ekipin kombëtar për këtë grumbulli”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Por edhe sulmuesi i Konyaspor Zymer Bytyqi është në dyshim, po ashtu shkaku i një lëndimi.
“Po ashtu mbetet për t’u vlerësuar situata e Zymer Bytyqit, që ka pësuar lëndim në ndeshjen e djeshme me klubin e tij. Bytyqi është duke i kryer ekzaminimet mjekësore me klubin e tij dhe më pas do të merret vendimi definitiv për të”, njofton FFK-ja.
Gliha – një ish-trajner i suksesshëm për një kohë të gjatë në krye të ekipit kombëtar U21 të Sllovenisë – do ta drejtojë Kosovën, ekipin e parë A në karrierën e tij, në stërvitje për herë të parë të hënën pasdite në kryeqytet.
Ai do ta drejtojë Kosovën së pari në një ndeshje miqësore kundër Jordanisë të mërkurën në Prishtinë.
Kosova do të përballet me Greqinë më 14 nëntor në Athinë, në ndeshjen e fundit të një fushate kualifikuese tejet zhgënjyese për Botërorin e Katarit.
Kosova i humbi pesë prej shtatë ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2022, duke e arritur vetëm një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e tjera nën udhëheqjen e Challandes.
Jo vetëm që i humbi shanset për kualifikim qysh herët, por Kosova tani rrezikon ta mbyllë grupin në vendin e fundit, ku edhe gjendet, kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje deri në mbylljen e fushatës kualifikuese për Katar.
Kosova është e fundit në Grupin B me vetëm katër pikë, aq sa ka edhe Gjeorgjia në vendin e parafundit, por kjo e fundit ka goldallim më të mirë.
Gjeorgjia përballet me Suedinë, lideren e grupit, në ndeshjen e fundit kualifikuese.
/Gazeta Enigma/