Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë të martën, se Moska ka qenë vazhdimisht e hapur për bisedime me Perëndimin rreth luftës në Ukrainë, por ende nuk ka marrë propozim serioz për negociata.
Në një intervistë në televizionin shtetëror, Lavrov ka thënë se Rusia ishte e gatshme të angazhohej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqinë, për mënyrën për t’i dhënë fund luftës, tani në muajin e tetë të saj, shkruan Reuters të martën.
Theksi i tij në gatishmërinë e Rusisë ndaj bisedimeve erdhi pas një sërë humbjesh që nga fillimi i shtatorit, të cilat kanë lëvizur vrullin e konfliktit në favor të Ukrainës.
Lavrovi tha se zyrtarët, përfshirë zëdhënësin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, kishin thënë se Shtetet e Bashkuara ishin të hapura për bisedime, por se Rusia kishte refuzuar.
“Kjo është gënjeshtër”, tha Lavrov. “Nuk kemi marrë ndonjë ofertë serioze për të kontaktuar”.
Ai tha gjithashtu se Rusia nuk do të refuzojë një takim midis presidentit, Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së, Joe Biden në samitin, i cili do të mbahet në mes të nëntorit në Indonezi në kuadër të G20.
“Ne kemi thënë vazhdimisht se nuk i refuzojmë takimet. Nëse ka një propozim, atëherë do ta shqyrtojmë”, tha Lavrov.
Duke komentuar mundësinë që Turqia të mund të organizojë bisedimet midis Rusisë dhe Perëndimit, Lavrovi tha se Moska do të ishte e gatshme të dëgjonte çdo sugjerim, por nuk mund të thoshte paraprakisht nëse kjo do të çonte në rezultate.
Ai tha se presidenti turk Recep Tajip Erdogan do të ketë një mundësi për t’i bërë propozime presidentit rus Vladimir Putin kur të dy të vizitojnë Kazakistanin këtë javë.
Lavrovi vuri në dukje se bisedimet e drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës ishin ndërprerë në fund të marsit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka përjashtuar mundësinë e bisedës me Putinin pasi Rusia pretendoi pushtimin muajin e kaluar të katër rajoneve ukrainase që ajo pjesërisht i ka nën kontroll.