Pas vendimit të PZAP-së për të anuluar votat e Komunës së Dragashit, LDK ka dërguar të shtunën në Gjykatën Supreme ankesë kundër këtij vendimi.
“PZAP dje morri vendim të paprecedentë në sistemin zgjedhor të Kosovës, tre gjyqtarë të PZAP-së kanë anuluar të gjitha votat e mërgatës, pa kontaktuar, pa verifikuar e pa kërkuar të vërtetën në Dragash”, deklaroi në një konferencë për media zëdhënësja e LDK-së Sibel Halimi.
Ajo thotë se të njëjtat vota ishin certifikuar dhe marrë parasysh në raundin e parë të zgjedhjeve.
“Ato vota ishin verifikuar hapur, numëruar e pranuar sit ë rregullta nga KQZ edhe në raundin e dytë. Kjo është një përpjekje antidemokratike për përmbysje të rezultatit zgjedhor në tavolinë”.
Halimi thotë se LDK ka dorëzuar në Supreme mbi 200 dëshmi të votuesve të Dragashit në mërgatë për raundin e dytë.
“LDK beson se sistemi zgjedhor në Kosovë do të mbrohet nga Gjykata Supreme, vullneti vota e çdo qytetari do të mbrohen me dinjitet. LDK veprimin e tre gjyqtarëve të PZAP-së do t’i adresojë edhe te misionet ndërkombëtare për monitorim të zgjedhjeve si sulm i paprecedentë ndaj procesit zgjedhor”
LDK thotë se qytetarët e Dragashit duhet të jenë të qetë pasi sipas saj askush nuk do të mund të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve lokale në Kosovë./Gazeta Enigma/