Në vazhdën e aktiviteteve të brendshme, subjekte të ndryshme politike kanë filluar në një mënyrë apo tjetër fushatën e tyre për kryetar të komunave, edhe pse shumë pak emra të nominuar apo të apostrofuar, janë bërë të ditur përfundimisht.
Edhe komuna e Kamenicës akoma nuk ka të qartë me saktësi emrat e kandidatëve të partive të ndryshme që synojnë të marrin drejtimin e kësaj komune për katër vitet e ardhshme në zgjedjet e parapara të 17 tetorit. E në këtë kontekst edhe dega e LDK-së në këtë komunë, akoma nuk ka dalur me emrin e kandidatit, edhe pse ka kohë që lakohet emri i kryetarit aktual të degës, Jeton Biçku si kandidat i mundshëm.
Vet Biçku, i kontaktuar nga Gazeta Enigma, nuk e ka mohuar e as pohuar me saktësi kandidaturën e tij, porse ka lënë të kuptohet se do të jetë kandidat i nominuar nga dega e LDK-së në Kamenicë, për zgjedhjet e ardhshme, për të parin e Komunës. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë të ketë kundërkandidat, ndërsa ka saktësuar se nominimi definitiv bëhet në vet degën e LDK-së, e jo nga niveli qëndror, siç ndodhë aty-këtu në subjekte apo raste të ndryshme, dhe se sipas tij, ai emër që del nga dega e LDK-së në Kamenicë, më pas i dërgohet kryesisë qëndrore e cila e aprovon ose refuzon.
Kujtojmë që procesi i nominimit të kandidatëve për kryetar të komunave, tashmë është në fazën përfundimtare, dhe se shumë degë të LDK-së nëpër komuna, së shpejti pritet të bëjnë të ditur emrat potencial të kandidatëve të tyre, përfshirë edhe atë të komunës së Gjilanit, e cila komunë emrin e kandidatit do ta bëjë të ditur saktësisht më 24 qershor në konventën e partisë.